Diego Maradona ambasador i FIFA-s

14

Legjenda argjentinase, Diego Maradona konfirmoi se do të marrë postin e ambasadorit të FIFA-s, duke mos e fshehur kënaqësinë për detyrën në Konfederatën Botërore të futbollit që sipas tij, “tashmë është e pastër dhe transparente”.

Fituesi i Kupës së Botës në vitin 1986 ishte një prej kritikëve më të ashpër të ish-presidentit Sepp Blatter, i cili u largua nga detyra pas skandalit të korrupsionit që tronditi FIFA-n në vitin 2015 dhe tashmë është përjashtuar nga çdo detyrë që e lidh me futbollin.

56-vjeçari Maradona postoi një mesazh në “Facebook”, të shoqëruar nga një fotografi e tij me presidentin aktual, Gianni Infantino, duke thënë se po realizon një ëndërr të kaherëshme.

“Tashmë është zyrtare”, shkruante Maradona. “Më në fund mund të realizoj një prej ëndrrave të jetës: të punoj për një FIFA të pastër dhe transparente, përkrah njerëzve që realisht e duan futbollin. I falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë sfidë të re”.

Puna e Maradonës nisi menjëherë me dorëzimin e çmimit “Trajneri i Vitit” për drejtuesin e stolit të Leicester, Claudio Ranieri, në ceremoninë e FIFA-s gjatë muajit të kaluar.


Na ndiqni në Facebook për lajmet e fundit.