Djelmoshat e Kosovës përgatiten me ritëm të shtuar

22

Kombëtarja e Kosovës U-17 ka vazhduar me stërvitje në Durrës.  Djelmoshat e udhëhequr nga përzgjedhësi Besnik Kollari dhe trajnerët Fadil Berisha, Bahri Berisha e Gazmend Haliti punojnë me djelmoshat e rinj.

Edhe në këto stërvitje tek djelmoshat është vërejtur vullnet i madh për punë, harmoni brenda grupit, angazhim maksimal dhe disiplinë. Ndërkohë në mbrëmje është bërë rigjenerimi në pishinë dhe saunë. Deri më tash të gjitha stërvitjet kanë shkuar sipas planprogramit të përzgjedhësit Besnik Kollari, derisa të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe asnjë prej tyre nuk ka pësuar ndonjë lëndim.

 Deklaruan pas stërvitjes

Armend Gashi:  Dëshira për të luajtur për Përfaqësuesen e Kosovës është shumë e madhe, prandaj po mundohem ta jap maksimumin edhe në këtë grumbullim në mënyrë që të bindi me cilësitë e mia. Natyrisht se konkurrenca është e madhe, por kemi filluar të përshtatemi mirë me njëri-tjetrin.

Florian Hysenaj: Ndjenja të luash për Kosovën është e veçantë. Këtu luaj më me zemër dhe adrenalina është më e madhe. Po ashtu jam përshtatur shumë mirë me bashkëlojtarët. Synimi im është të zhvillohem sa më shumë si futbollist që të eci përpara dhe të arrij në Përfaqësuesen A.

Dardan Shabanhaxhaj: Në fillim ka qenë pak e vështirë kur jam bashkuar me grupin, por tashmë jam adaptuar dhe jemi bërë si familje. Krejt lojtarët janë shumë simpatik. Më ka pëlqyer shumë edhe puna që e bëjnë trajnerët në këto stërvitje. Ishalla përgatitemi sa më mirë për turneun në Turqi dhe bëjmë paraqitje sa më dinjitoze.

Gentrit Ulluri:  Dy stërvitjet e para në këtë grumbullim kanë kaluar shumë mirë. Të gjithë po mundohemi ta japim maksimumin tonë dhe ta ndërtojmë lojën e skuadrës për sfidat e të ardhmes. Atmosfera në grup është shumë e mirë.

Bajrush Osmani: Procesi i fillimit të grumbullimit me përfaqësuese për mua ka filluar para tri vitesh me U-15 si 12 vjeçar ku më ka kontaktuar trajneri Besnik Kollari. Çdo vit ka shkuar më mirë dhe tashmë e kemi kualitetin për të luajtur në kualifikimet për Evropian. Ky grymbullim, por edhe turneu në Turqi në mesin e këtij muaji do të na shërbejnë për të ardhmen. Na duhet edhe pak kohë për t’u bërë më kompakt. Kushtet për punë këtu janë të mira, por shpresoj se në të ardhmen edhe në Kosovë do të bëhen më të mira. Për mua është ndjenjë shumë e mirë ta përfaqësoj Kosovën, pasi nga këtu e kam prejardhjen e baballarëve dhe ndihem krenar për këtë, prandaj do ta japë më të mirën time. Gjithsesi qëllimi im është ta vazhdoj këtë rrugë deri te Përfaqësuesja A.

Valon Zymberi:  Po kalojmë shumë mirë këtu në Durrës. Mendoj që kemi një rast të mirë për të treguar veten në turneun në Turqi me ekipe të mëdha, që edhe ato janë pjesë e kualifikimeve për Evropian. Harmonia në grup është shumë e mirë. Kemi një shanc për të treguar kualitetin tonë dhe për të arritur diçka të rëndësishme me këtë ekip që e kemi. Sigurisht se me kalimin e kohës do të vijmë duke u bërë më të fortë.

Auron Loxha:  Për mua hera e parë jam grumbulluar me Përfaqësuesen U-17 ka qenë në shtator, ku kishte konkurrencë shumë të madhe, pasi kemi qenë rreth 70 lojtarë. Prandaj, përfshirja në vazhdimësi më jep motiv dhe besim më të madh për të ardhmen. Normalisht jam i vetëdijshëm se ende kërkohet shumë punë dhe asnjëherë nuk do të kënaqem me atë që kam arritur deri tash, por do të kërkoj më shumë prej vetes. Gjithmonë ka qenë ëndrra ime të përfaqësoj shtetin tim në mënyrën më të mirë të mundshme. Ky grumbullim është shumë i rëndësishëm për ne sepse ne si lojtarë jemi afruar njëri me tjetrin dhe po vijmë gjithnjë duke u bërë më kompakt.

Edin Huseini: Për mua është kënaqësi që jam pjesë e këtij grumbullimi dhe që më është dhënë mundësia ta përfaqësojë Kosovën. Deri tash gjithçka ka shkuar si duhet. Shpresoj që me punën që po e bëjmë të arrijmë të krijojmë lojën, e cila do të na mundësojë që në turneun në Turqi, por edhe në kualifikimet e Evropianit të bëjmë lojëra sa më të mira.


Na ndiqni në Facebook për lajmet e fundit.