Duka zbulon arsyen: Ja përse kandidoj në UEFA

25

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është zyrtarizuar pak ditë më parë si kandidat për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.

Numri 1 i futbollit shqiptar, në intervistën e dhënë për “Top Channel”, mendon se në këtë mënyrë do të ketë mundësinë të kontribuojë me eksperiencën e tij në drejtimin e ftubollit edhe në këtë organizatë ndërkombëtare.

Intervista e plotë:

Edhe UEFA e ka zyrtarizuar kandidaturën tuaj si anëtar komiteti, a mund të na tregoni diçka më shumë për këtë? Kam përshtypjen që ishte një lajm që për të gjithë ka bërë një lloj habie…

Janë zgjedhjet për 8 vende në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe për këtë ka disa kandidatë dhe një ndër ta do të jem edhe unë. Duke pasur parasysh eksperiencën e gjatë në FSHF dhe në komitete të ndryshme të UEFA-s mundet që këtë eksperiencë ta shfrytëzoj për më shumë për kontribute për këtë organizatë të përbashkët.

Si funksionon? Emrin tuaj e ka propozuar dikush?

Çdo federatë ka të drejtën të propozojë dhe me një propozim ke të drejtën e kandidimit. Kuptohet se për mua ka propozuar Federata Shqiptare e Futbollit, po ashtu si për të gjithë kandidatët e tjerë. Më pas kalohet në komitetet e seleksionimit, të plotësimit të kritereve dhe më pas për të qenë kandidat ose jo miratohet nga Komiteti Ekzekutiv.

Si funksionojnë zgjedhje të tilla në nivele të larta? Është një votim që bëhet për kandidatin? A mund të na thoni diçka më tepër rreth kësaj?

Ata që votojnë shohin kompleksitetin e gjërave. Shohin individin dhe kontributet e tij. Si në të gjitha zgjedhjet e tjera ndoshta bëhet edhe një lloj lobimi i kandidatëve. Nuk është se ka ndonjë gjë specifike.

Ka filluar fushata?

Nuk është se bëhet ndonjë lloj fushate, pasi nuk është si në raste të tjera. Kandidatët njihen me njëri tjetrin, anëtarët e UEFA-s po ashtu. Të gjithë kandidatët janë figura të nderuara, janë drejtues federatash në vendet respektive dhe të gjithë i kanë shanset për të fituar.

Pra, nuk bëhet një lobim i hapur?

Thash edhe më lart, se çdo njeri do të kërkojë nëpërmjet takimeve për të qenë sa më i kujdesshëm dhe për të arritur në një rezultat sa më pozitiv. Për mua nuk është një gjë e lehtë pasi janë disa kandidatë që përfaqësojnë edhe vende të mëdha si Italia, Gjermania dhe janë të gjithë figura të nderuara. Nëse unë do të zgjidhem do të jenë diçka shumë pozitive për futbollin shqiptar në përgjithësi, por edhe fakti që jemi kandidat është diçka e mirë.

Ju përmendët pak më parë edhe Italinë e Gjermaninë. Janë të gjithë drejtues federatash?

Shumica e tyre po.

A penalizohemi ne duke qenë një vend i vogël? A ka Shqipëria “aleatë”?

Unë uroj që të mos jetë penalizues fakti se nga vjen kandidati. Uroj që ta shohim më me sportivitet këtë gjë, si një kontribut të të gjithë anëtarëve të UEFA-s, ashtu siç është edhe motoja e saj. Megjithatë çdo njeri ka të drejtën e vet ta shohë si të dojë.

Prej vitesh jeni anëtar i disa komisioneve të UEFA-s, pse vendosët pikërisht tani të vendosni kandidaturën tuaj?

Pas kaq vitesh eksperiencë e kam konsideruar se mund të kem mundësi për të kontribuuar më shumë, për të dhënë eksperiencën time.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është edhe organi më i lartë që menaxhon të gjithë punën e këtij institucioni, apo jo?

Komiteti Ekzekutiv është bordi drejtues i UEFA-s. Po ashtu si në federatat e futbollit dhe në UEFA organi më i lartë është Asambleja ku bëjnë pjesë të gjitha vendet anëtare, e cila zgjedh edhe Presidentin dhe Komitetin e Ekzekutiv dhe bën menaxhimin e punëve të UEFA-s në periudhën mes dy asambleve.

Ju keni qenë disa herë kandidat për president federate dhe i keni fituar, ndërsa keni pasur si objektiv kualifikimin e Shqipërisë apo edhe ndërtimin e stadiumeve, a është ky objektivi më i madh personal i juaji?

Kjo është një ndërmarrje relaitivisht e vështirë, duke pasur parasysh të gjitha ato që njerëzit mund të mendojnë, dikush mund ta shohë me skepticizëm. Një ndër arsye që unë kandidoj është edhe fakti që pse jo Shqipëria ka të drejtën e saj që mund të përfaqësohet në Europë. Shqipëria nuk mund të shihet më si dikur, ndoshta me një lloj paragjykimi, por duhet të shihet si një vend i barabartë. Fakti i kandidimit të paktën do ta realizojë këtë. Pavarësisht nëse fitojmë, unë mendoj se duhet ta fitojmë këtë status që kemi.

Ju vini nga bota e biznesit dhe e llogarive, sigurisht që e keni bërë edhe një lloj llogarie para se të futeshit në këtë “betejë”. Sa janë shanset që ju të zgjidheni?

Është e vështirë që të bësh llogari. Janë 13 kandidatë dhe do të fitojnë 8. Ata janë të gjithë figura të nderuara, ndoshta jo me kaq eksperiencë sa kam unë. Ndoshta është pak e vështirë që ta bësh këtë lloj llogaritjeje. Unë e pres me sportivitet çdo lloj rezultati që do të jetë. Unë e konsideroj pozitive fakti që jemi në këtë garë.

Çfarë do të përfitojë Shqipëria nëse ju do të zgjidheni anëtar?

Qoftë edhe ulja në tavolinë e Shqipërisë besoj se është goxha e rëndësishme moralisht. Këtu nuk bëhet fjalë për të mira materiale dhe nuk shkohet në Komitetin Ekzekutiv për të qenë i njëanshëm dhe për të mbrojtur vetëm interesat e Shqipërisë, por shkohet atje për të bërë më të mirën për të gjithë organizatën. Për të dhënë kontributin tënd për zhvillimin e lojës dhe për mënyrën se si duhet të menaxhohet ajo.

Megjithatë, tashmë kemi një votë “po” që mund të jetë ajo e Kosovës, apo jo?

Patjetër që votën e Kosovës e konsideroj njësoj si votën e Shqipërisë.

E keni si avantazh këtë…

E kemi të sigurt që dy vota të paktën do t’i marrim.

Sa është numri i votave të nevojshme për zgjedhjen e një kandidati?

Janë 55 anëtarë, nuk e di, varet se si do të shkojë votimi. Ndoshta diku te 30 vota./ Panorama sport/


Na ndiqni në Facebook për lajmet e fundit.