Lazio, Lucas Biglia arrin akordin për rinovimin

8

Lucas Biglia i thotë “po” Lazios. Kapiteni bardhekaltër ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin Claudio Lotito për rinovimin e kontratës deri në vitin 2021.

Argjentinasi që u bë protagonist edhe në një përplasje verbale me një tifoz në përfundim të ndeshjes kundër Chievos, nuk ka ndryshuar mendje, ai pranon ofertën e klubit ktryeqytetas për të arkëtuar 2.8 milionë Euro në sezon plus bonuset. Tashmë mungon vetëm forma por sipas mediave italiane bëhet fjalë për një formalitet sepse mesfushori bardhekaltër ka vendosur ta vazhdojë karrierën në Romë.

Në këtë mënyrë, lojtari ka vendsur t’i përkushtohet klubit aktual, duke kthyer pas edhe disa oferta të rëndësishme si ajo e Manchester United disa muaj më parë. Vendimtar në këtë proces ka rezultuar drejtori sportiv, Igli Tare, i cili po punonte prej muajsh për të blinduar mesfushorin e Kombëtares së Argjentinës pasi Biglia mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të projektit aktual.

Ish trajneri Stefano Pioli ia dorëzoi shirtin e kapitenit pikërisht për këtë qëlim, duke krijuar madje edhe pakënaqësi te Antonio Candreva, i cili pak muaj më vonë kërkoi largimin nga Lazio për këtë fakt. Pas firmës së kapitenit, Lazio do të nisë punën në fronte të tjera pasi De Vrij, Keita por edhe Strakosha presin të ulen në një tryezë për të diskutuar të ardhmen e tyre me klubin bardhekaltër.