Mavraj kapiten te Hamburgu?

44

Mërgim Mavraj mund të jetë kapiteni i Hamburgut në përballjen me Bayer Leverkusenin që do të luhet ditën e premte. Në mungesë të kapitenit Sakai dhe zv.kapitenit Adler, trajneri Gisdol ka deklaruar se në garë për këtë rol është edhe lojtari i kombëtares shqiptare.

Mërgim Mavraj gjatë muajit Janar vendosi të braktise Këlnin që aktualisht ndodhet në pozita të mira në Bundesligë për tu transferuar tek një skuadër me shumë vështirësi por me emër të madh në Gjermani, Hamburgu. Kur kanë kaluar vetëm disa javë nga mbërritja e mbrojtësit kuqezi në qytetin verior ekziston mundësia reale që ai të gradohet kapiten i skuadrës.

Besimi që trajneri Markus Gisdol ka tek 30 vjeçari është maksimal dhe pavarësisht situatës delikate dhe rezultateve negative, Mavraj në këto javë ka treguar se është një përforcim i rëndësishëm për Hamburgun.

Ka qënë vetë tekniku 47 vjeçar ai që ka pranuar se ekziston mundësia që në kuadër të sfidës mjaft të vështirë kundër Leverkusenit ditën e premte, Mavraj të gradohet kapiten i skuadrës. Në këtë duel nuk do të jetë i pranishëm për shkak pezullimi kapiteni i Hamburgut Gotoku Sakai , në një kohë që zv.kapiteni Rene Adler është prej kohësh i dëmtuar. Në këtë mënyrë trajneri gjerman ka deklaruar se duke parë situatën në garë për shiritin është edhe Mërgim Mavraj.

Nëse vërtetë Gisdol vendos t’i besojë këtë rol mbrojtësit të kombëtares shqiptare, atëherë do të ishte një vlerësim i madh për djaloshin nga Istogu.


Na ndiqni në Facebook për lajmet e fundit.