Thiago Silva: Ja kush mund të ndaloj ‘MSN’

113

Në prag të ndeshjes kundër Barcelonës, mbrojtësi i PSG-së, Thiago Silva ka paralajmëruar skuadrën e tij të ketë shumë kujdes dhe të japë maksimumin në fushën e lojës.

Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Mundo Deportivo”, mbrojtësi brazilian ka folur me superlativa për treshen Messi, Suarez, Neymar madje ai pranon se kur ka topin Barcelona ka vetëm një rrugë: T’i lutet Zotit.

“A e shoh të mundur ndaj Barcelonës? Le të shpresojmë (qesh). Vërtet shpresoj kështu, sepse prej kohësh në rrugën time mungon një sukses, edhe kur luaja me Milanin, edhe tashmë me PSG-në. Fituam një herë, me rezultatin 3-2, por unë nuk isha në fushë.”

“Skuadra është e përgatitur shumë mirë, e ka filluar vitin 2017 me fitore të rëndësishme dhe shpresoj ta ruajmë këtë linjë, sepse për të fituar ndaj Barcelonës duhet të jesh 100%. Nëse bllokon Messin, prite golin nga Neymar apo Suárez. Barcelona ka lojtarë shumë të zgjuar, ndaj na duhet përqendrim shumë i lartë, sa më pak gabime dhe t’ia minimizojmë sa mundet posedimin e topit.”

“Ne mund të futemi tashmë te klubet e mëdha në Europë, nisur nga investimet e kryera, por në praktikë është e vërtetë se na duhet të arrijmë të paktën një gjysmëfinale në Champions. Si është të luash kundër një “tridenti” si Messi-Suarez-Neymar? Është pothuajse e pamundur për t’i ndaluar ata. Më e mira është të mos kenë topin në këmbë dhe për këtë do t’i lutemi Zotit.

“Me një fjalë, si do ta përshkruaja Messin? Mjeshtër. Po Suarezin? Matador. Neymarin? Fantastik”, u shpreh Silva.

Kujtojmë që ndeshja mes Barcelonës dhe PSG-së do të luhet ditën e martë.


Na ndiqni në Facebook për lajmet e fundit.