Zbulohen të “urryerit” e Higuain te Napoli: “Nuk i duronte dot këta dy futbollistë”

559

Njëlloj sikur të ishte monologu i një filmi. Një prej atyre që më pas thyejnë rekorde shikueshmërie në rrjete dhe faqe internet.

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis ka dhënë një intervistë për “BeIn”, në të cilën ndër të tjera ka risjellë edhe një herë në memorje shitjen e bomberit Gonzalo Higuain te Juventusi gjatë merkatos së verës së kaluar.

I kritikuar hapur gjatë verës nga tifozët e Napolit, për shitjen e Higuain te Juventusi, duke mbetur gjithmonë e paqartë arsyeja e ekzistencës së asaj klauzole që realisht largoi beniaminin e tifozerisë napoletane, dukej e pakuptimtë pse presidenti nuk kënaqte kërkesat e Pipitas, duke ndërtuar një skuadër në gjëndje për të fituar menjëherë. Me punën e Sarri’t dhe programimin e klubit, por Napoli mbeti në nivelet e elitare të futbollit italian, duke u bërë skuadra me sulmin më të mirë të të gjitha kohërave në Seria A.

“Gonzalo ka një familje të jashtëzakonshme, të ndarë në dy pjesë. Njëra më shumë sentimentale që përfaqëson të atin dhe vetë Gonzalon, ndërsa pjesa tjetër më shumë tregtare me të vëllain, Nicolas dhe të ëmën. Ekzistonte ajo klauzolë largimi prej 95 milionë euro për transferime në Europë dhe 90 milionë euro për transferime brenda Italisë.

Kontaktuam me Nicolas dhe ai na tha se Gonzalos i interesonte të kishte një skuadër me emra yjesh. Në një pikë, pavarësisht ofertës tonë ekonomike superiore ndaj asaj të Juventusit…ai u largua për në Torino”, zbulon De Laurentiis.Më pas, një prapaskenë vërtetë kurioze.

Sipas presidentit De Laurentiis, argjentinasi Higuain nuk dëshironte fare të punonte apo të kishte ndonjë lidhje me dy futbollistë të Napolit. Duke qëndruar te fjalët e presidentit partenopeo, njëri prej dy të padëshiruarve të Higuain duket se ishte Dries Mertens, kryegolashënuesi aktual i Seria A. “Nicolas thonte se Gonzalo nuk dëshironte të punonte me Tizio, një futbollist i huaj që aktualisht po paraqitet dhe po bën shumë mirë. Më pas nuk dëshironte të punonte as me Caio…”, deklaroi De Laurentiis, i cili njeh më së miri frazat dhe shprehjet që kanë efekt për të provokuar./telesport/.


Na ndiqni në Facebook për lajmet e fundit.